Arjon Hasaj e nxorri në pritë dhe e vrau, i vëllai e ndihmoi! Drejtori i policisë Shkodër jep detaje pas vrasjes së 33-vjeçarit Mataj
Pas hetimeve në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit.
Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj.
29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së autorit.
Autori i dyshuar është ndihmuar nga vëllai i tij, shtetasi Klisman Hasaj, për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.
Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi dy vëllezërve, Arjon Hasaj, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak” dhe Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje./vizionplus.tv




