SHBA dhe BE dënojnë dhunën e opozitës: Aktet shkatërruese s’kanë vend në procesin demokratik
Një ditë pasi deputetët e Partisë Demokratike nxorrën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe i vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, vijnë reagimet e para nga faktori ndërkombëtar.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale Ambasada e SHB-së thekson se akte të tilla nuk kanë vend në proçesin demokratik.
“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar për shkatërrimin dhe forcën e shpalosur në parlamentin shqiptar të hënën. Akte të tilla dëmtuese dhe potencialisht lënduese nuk kanë vend në procesin demokratik. Nxisim të gjitha palët e përfshira të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të përqafojnë vlerat e respektit dhe qytetarisë. Mbështesim diskutimet paqësore dhe bashkëpunuese lidhur me negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE si dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë krah institucioneve shqiptare teksa punojnë për ta sjellë Shqipërinë më pranë bashkësisë euro-atlantike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane”, thuhet në reagim.
Më herët Ambasadori i BE-së në tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe se palët duhet të ulën sa më parë në dialog.
“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është vërtet për të ardhur keq. nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e Kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë. Të ulen tensionet e të shmangen sulmet. Dhuna nuk duhet të jetë zgjidhje”, tha Gonzato.
Seanca e ditës së hënë nuk u zhvillua si normalisht, ajo zgjati vetëm 15 minuta pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren, hodhën mjete të forta drejt kryeparlametares Elisa Spiropali si dhe i vunë zjarrin karrikeve të deputetëve. /vizionplus.tv




