E mërkurë, 7 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Albin Kurti ofertë të re PDK-së: Votoni Konjufcën ose Rushitin për President, të votojmë ndryshimet për specialen

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë një ofertë të re PDK-së, duke deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme t’i kalojë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në ligjin për Gjykatën Speciale, nëse deputetët e PDK-së votojnë për Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin për presidente të re të Kosovës.

Kurti ka propozuar që PDK-ja të sigurojë të paktën gjysmën e deputetëve të saj për të marrë pjesë në votimin e kandidatit për president. Në këmbim, Vetëvendosje do të procedonte me leximin e dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të enjten.

Reklamë

“Presidenti duhet të zgjidhet sot. Ligjin mund ta votojmë më pas, duke respektuar afatin 72-orësh”, deklaroi Kurti.

Oferta e Kurtit vjen në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, ndërsa mosarritja e një marrëveshjeje do të mund të çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Reklamë

Kurti tha se çështja e Gjykatës Speciale është urgjente, por zgjedhja e presidentit është emergjente, duke kërkuar nga PDK-ja një zotim publik për pjesëmarrjen e deputetëve të saj në seancën për presidentin.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij nuk heq dorë nga kërkesa që fillimisht të votohet në lexim të dytë ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas tij, çështja e presidentit dhe ajo e Speciales nuk janë të lidhura, por thjesht kanë qëlluar të trajtohen në të njëjtën kohë.

Më herët, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa votimi përfundimtar mbetet pjesë e përplasjes politike mes mazhorancës dhe PDK-së.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.