Subscribe

Spektakli më i madh i humorit, “Al Pazar” u ndërpre për shkak të situatës së krijuar pas përhapjes së COVID- 19. Por nga kjo e shtunë, AL Pazar rikthen buzëqeshjen tek publiku shqiptar. Autori dhe moderatori i AL Pazar, Agron Llakaj nuk i ka munguar ekranit, pasi çdo ditë ai ka qenë në emisionin “Fake Off” në Vizion Plus. Në një intervistë, për “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus me Evi Reçin, Llakaj tregoi më shumë për formën e re me të cilën do të prezantohet Al Pazar, duke nisur nga kjo e shtunë, në ekranin e Vizion Plus.
“Humori i Al Pazar do të jetë me të papritura. “Fake Off” ka qenë lojë brenda Al Pazarit dhe ka qenë lojë me lajmin dhe aktualitetin, sepse ende nuk ka krijuar një karakter investigativ. Është një zgjedhje e zgjuar, edhe drejtuesve të televizionit. Karakteri investigues ka arritur në disa abuzivisma.
Në Al Pazar nuk është Goni dhe Xhefri, por janë karakteret, është lëngu i jetës. Aty krijohet një karakter dhe njerëzit që na ndjekin thonë po kjo është dhe gjejnë veten. Nuk është krijimi i fantazisë, por i realitetit. Njerëzit nuk duhen paragjykuar, e aq më pak e qeshura, por shikoj që njerëzit qeshin me njërin aty që ha me motrën, se ça ka për të qesh. Arti duhet të të bëjë për të qeshur dhe të përcjellë mesazhe.” – u shpreh ai

Sipas humoristit të njohur, siguria e shëndetësore është parësore për të dhe stafin, ndaj ata janë siguruar që të zbatojnë me përpikmëri të gjitha rregullat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim. Megjithatë, situata e krijuar në vend, për shkak të krizës së koronavirusit është gjithashtu një burim frymëzimi për të në krijimin e materialeve të reja, që përcjellin me humor dhe ironi realitetin.

“Para jetës dhe shëndetit të njerëzve nuk vendosim as AL Pazarin. Në AL Pazar nuk do të ketë publik mund të ketë 2-3 aktorë në skenë, me distancë fizike sipas rregullave.
Karantina nuk ka sjellë personazhe, por ka sjellë ngjarje. Është jashtëzakonisht e vështirë të krijosh një personazh të ri për 15 ditë. Ai do një studim, do të shikosh dhe studiosh, si shikon, si qëndron etj. Personazhi nuk është kaq i lehtë të krijohet dhe çdo gjë kërkon kohën dhe proçesin e vet. Aktualiteti ka vend. Në këtë realitet ka dhe shumë situata komike. Fillon gjëja e pare, frika që do vijë tek ne me humor. Ka shumë gjëra që realisht do i shikojmë të shtunën. Çdo artist do e shikoj në këndvështimin e tij dhe ky realitet na jep shumë.” – u shpreh ai.

Gjatë intervistës, Agron Llakaj nuk ka lënë pa komentuar gjithashtu edhe për gjendjen aktuale në të cilën janë sot formatet e humorit në Shqipëri, të cilët janë bërë komercialë, e si rrjedhojë kanë sakrifikuar në cilësi.

“Një spektakël i përjavshëm humori nuk ka parametrat e një arti. Unë e kam quajtur fast-food, sepse është e vështirë ta ndërtosh një show për 4 ditë. Është e vështirë. Nëse do të kisha komoditetin dhe rehatin që do ishte një herë në muaj, sepse ka spektakle humori në Shqipëri, nuk mungojnë. Ka dhe abuzime dhe humor banal. Prezenca e publikut i jep dorë aktorit në rol. Kësaj i thonë duhet ta bëjmë dhe e bëjmë. Ne e bëjmë për teleshikuesit. Nëse vazhdon situata do dalim në mizaskena në natyrë.”

Agron Llakaj ka treguar më shumë edhe rreth jetës në aspketin personal, gjatë kësaj periudhe izolimi, si dhe për disa probleme shëndetësore që ka pasur, për të cilat dyshon se mund të kenë ardhur edhe si pasojë e infektimit me COVID-19.

“Nga vetë natyra jam njeri që i zbatoj dhe jam rigoroz. Marrëdhënia me punën më ka bërë që mos kem të njëjtin përjetim si familja ime. Ime shoqe dhe mbesa ime nuk e kanë parë dritën e diellit. Kjo më ka shërbyer, ardhja në punë, kam përjashtuar makinën. Kam humbur kile dhe ndihem më i motivuar. Luftoj për ta arritur dhe të arrij parametrat që kam qenë vite më parë. Ky izolim nuk ka pasur vetëm gjëra të këqija. Unë para disa kohësh pata disa probleme shëndetësore, mora antibiotik dhe bëra skopi por nuk e di nëse kam kaluar apo jo virusin, mund ta kem kaluar.”

Në fund të intervistës, Agroni u shpreh që Al Pazari është gati për t’ju rikthyer buzëqeshjen, çdo shqiptari. “Ne do të nisim sërish vrapin, të shtunën në orën 21:00 me Al Pazar, jo për të bërë çudi, por t’ju rikthejmë njerëzve besimin dhe buzëqeshjen” – përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *