Adriatik Llalla “peshku i madh” që u arratis! Kërkesë gjykatës: Më pushoni dënimin
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit me dy vite burg, me pretendimin se ka kaluar afati ligjor.
Kërkesa është depozituar përmes avokatit të tij, pesë vite pasi vendimi i dënimit mori formë të prerë. Më 22 shtator 2021, Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, raporton në 7pa5 në Vizion Plus. gazetari Esido Barkaj.
Llalla është dënuar për fshehje të pasurisë dhe ndaj tij është vendosur edhe sekuestrimi i një apartamenti në Durrës dhe i sipërfaqeve të tokës. Prej vitesh ai ndodhet në Itali, ku u largua përpara se dënimi të merrte formë të prerë.
Më herët, ish-kryeprokurori kishte kërkuar në Gjykatën e Lartë shfuqizimin e dënimit me burg, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Kërkesa e tij u rrëzua nga kjo gjykatë.
Tashmë pritet që GJKKO-ja të shqyrtojë kërkesën e re dhe të vendosë nëse plotësohen kushtet ligjore për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit.
Llalla është dënuar gjithashtu me pesë vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë gjykata dhe cilat do të jenë pasojat e tij ligjore.
/vizionplus.tv




