Mungesa e strukturës në familje dhe autoritetit prindëror vijon të mbetet një shqetësim serioz edhe në vendin tonë. Angazhimet e shumta të prindërve dhe distanca e krijuar në komunikim, po e dobësojnë rolin e tyre në jetën e fëmijës, veçanërisht gjatë adoleshencës.
Këta të fundit shpesh zgjedhin të mos i ndajnë problemet me familjarët.
“Prindërit modernë shpesh kthehen në plotësues dëshirash, por pa rregulla nuk ka prindërim. Kur fëmija kalon nga ‘dua’ tek ‘duhet’, prindi duhet të punojë shumë. Nëse mungon ky proces, humbet kontrolli dhe fëmija rrezikon të përfshihet në grupe të rrezikshme apo situata problematike” , shprehet psikologia Rudina Koromani.
Ekspertët paralajmërojnë se si pasojë, modelet e gabuara shoqërore, po ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e të rinjve.
“Shembulli i modelit të të fortit të të suksesshmit, famës qe arrihet shpejt, pjesa e ndërgjegjesimit është të bërit të të kuptuarit që janë të tjera vlera që në terma afatgjatë janë më të rëndësishme”.
Psikologët kërkojnë më shumë përfshirje aktive të prindërve, sidomos në procesin arsimor, përmes komunikimit të vazhdueshëm me fëmijët dhe mësuesit.
Një studim i ”Institutit të Botimeve Dixhitale Multidisiplinare” thekson se marrëdhënia e shëndetshme prind–fëmijë është një faktor kyç për shëndetin mendor të adoleshentëve. Megjithatë, kontrolli prindëror nuk është I mjaftueshëm, vendimtare është mënyra si komunikimi ushtrohet.





