Tirana është qyteti më i zhurmshëm i Shqipërisë. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit tregojnë se në kryeqytet kemi një tejkalim të nivelit mesatar të zhurmës në masën e 15.1%.
Lapraka është zona më e zhurmshme e Tiranës gjatë ditës, ndërsa lagjia pranë Shkollës së Bashkuar, më e qeta. Ndërsa në orët e natës, zona e 21 Dhjetorit, Vasil Shanto dhe Rruga e Elbasanit e kanë zhurmën përtej nivelit mesatar. E kundërta ndodh në zonën e banuar pranë sheshit Skënderbej.
Pas Tiranës, qytete të zhurmshme në orët e ditës renditen Vlora, Saranda dhe Gjirokastra.
“Normat e lejuara gjatë ditës janë 55 decibel, shumica e qyteteve dalin 60-70 decibel, tregon që kemi një tendencë në rritje të përdorimit më intesiv të rrugës nga makinat, trafiku i shtuar, numri i mjeteve, por edhe cilësia e mjeteve. Kemi ende mjete të vjetra, që shkaktojnë edhe zhurma më të larta. Duhet një menaxhim më i mirë urban, qoftë në menaxhimin e transportit, ashtu edhe në rifreskimin e makinave apo edhe masa të tjera, si kufizimi i lëvizjes së mjeteve në disa fasha orare apo në disa zona urbane të caktuara, nxitje e futjes së makinave elektrike”, tha Mihallaq Qirjo, ekspert për çështjet e mjedisit.
Sa i takon matjes së zhurmës gjatë natës, të dhënat tregojnë se Vlora kryeson si qyteti ku është regjistruar niveli më i lartë i ndotjes akustike, me një tejkalim të normës me 18.7%.
“Në zonat turistike të vendit ka një rritje të numrit të banorëve, të tursitëve, ka shtim të jetës së mbrëmjes, të darkës, klubet në mjediset e hapura. Pavarëisht kufizimeve të orareve, ende ka shkelje të tyre. Niveli i lartë i zhurmës tregon për një mungesë të efektivitetit të zbatimit të masave në këtë drejtim. Mund të jetë fitimprurëse për biznesin, por krijon shqetësim për komunitetin”, u shpreh Qirjo.
Vetëm Lushnja e ka nivelin e zhurmës në parametrat mesatarë. Qytete të tjera me nivel të ulët të ndotjes akustike janë edhe Kukësi, Pogradeci dhe Përmeti.
/vizionplus.tv




