Në ditët e fundit të majit në Shqipëri zbresin charterat e parë me turistë dhe fluturimet vazhdojnë deri në mesin e tetorit. Tur-operatorët që merren me turizmin e organizuar tregojnë se të enjten do të vijnë 4 charterat e parë për këtë sezon veror, të cilët do të sjellin rreth 800 turistë të huaj në total.
“Kemi edhe nga Spanja, Portugalia dhe vendet baltike. Shpresojmë të rikthejmë edhe vendet nordike. Përsa i përket tregjeve tradicionale, tregu çek, spanjoll, baltik, polak kanë ardhur në rritje 15-20%, referuar kontratave. Destinacioni kryesor i tyre është Durrësi, që ka edhe më shumë kapacitete akomoduese”, tha Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar.
Veç destinacioneve tradicionale si Durrësi e Golemi, këtë vit turistët që vijnë me fluturime charter pritet të pushojnë edhe në Vlorë.
“Për herë të parë kemi futur edhe Vlorën me fluturime charter, të organizuar. Çekët dhe polakët që kanë marrë përsipër të fillojnë këtë vit me fluturime charter në Vlorë, kjo ishte një garanci që morëm nga qeveria që në aeroportin e Vlorës do të nisin fluturimet charter gjatë verës. Shpresojmë që ta mbajnë fjalën sepse ne kemi marrë iniciativën tonë për të bindur partnerët të futen në Vlorë”, tha Kasa.
Ndërkohë, prej prillit, 3 herë në javë kryhen edhe fluturime Tiranë-Tel Aviv, të cilët sjellin turistë izraelitë dhe kërkesa, sipas operatorëve, po shfaqet në rritje./vizionplus.tv




