Autoritetet turke kanë arrestuar nëntë gazetarë që mbuluan protestat gjatë natës në disa qytete kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, tha të hënën Unioni i Gazetarëve të Turqisë.
Nuk ishte menjëherë e qartë pse u arrestuan gazetarët, shkruan Reuters.
Gjykata turke la në burg kryebashkiakun e Stambollit, Imamoglu, rivalin kryesor politik të Presidentit Tajip Erdogan, në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion.
Ky vendim shkaktoi protestat më të mëdha të vendit në më shumë se një dekadë.
Megjithë ndalimet e tubimeve në rrugë në shumë qytete, demonstratat kryesisht paqësore antiqeveritare u zhvilluan për të pestën ditë radhazi të dielën.
Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane (CHP) ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglu, të cilin ata e cilësojnë si të politizuar dhe jodemokratik.
Qeveria mohon se hetimet janë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.
Imamoglu ka mohuar akuzat me të cilat përballet dhe bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare./vizionplus.tv





