Gjatë seancës së sotme parlamentare, deputeti i opozitës, Myslim Murrizi ka shprehur kënaqësinë që i dha lajmi për urdhrin ekzekutiv të lëshuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se shpreson që ky urdhër ekzekutiv të pasohet edhe me dy të tjerë.
Për Murrizin, Meta ka arritur gjithçka ka dashur në karrierën e tij politike. Madje, sipas tij, Meta ka arritur më shumë se Sali Berisha dhe Fatos Nano.
“Sa jam kënaqur mbrëmë me urdhërin ekzekutiv të presidentit Biden, edhe pse nuk kam qenë tifoz i tij. Nëse rras edhe dy urdhëra të tjera ka për të më bërë tifoz me zor. Shpresoj shumë që të njëjtën gjë të bëjë edhe BE-ja, që të mos gjejnë vrimë miu ku të futen hajdutët e 30 viteve politikë, që dërdëllisin sikur i shpallin luftë imagjinare njëri-tjetrit dhe vjedhin para publike bashkë. Shkarkimi do jetë limonatë para ngjarjeve që do ndodhin në Shqipëri…Kur t’i shikosh të veshur dhe të zhveshur në hotele në Londër, por mund t’i shikosh edhe të korrin jonxhë në Çermë. Si zog ta shikoni se do shkojnë tek Meta çfarë donte e ka arritur. Madje, edhe Berisha, edhe Nano nuk i kanë arritur ata që ka arritur ky president. Edhe nëse Meta është siç thonë këta, duhet ta thonë këta, sepse këta e ndajnë se kush është burrë e kush nuk është burrë. Uroj dhe shpresoj që drejtësia e re, të bëjë atë që Amerika po inicion me deklarata, është kamxhik për drejtësinë shqiptare, që çfarë thonë ata, të mund të bëhet realitet.”




