Presidenti Ilir Meta shprehet se në takimin me homologun slloven, Borut Pahor, u diskutua për rëndësinë e vijimit të dialogut Kosovë-Serbi. Ata nënvizuan arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme nga të dyja palët, që do të përshpejtonte proceset integruese të këtyre vendeve.
Përmes një postimi në “Facebeook”, kreu i shtetit tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është heqja e kufijve përmes bashkëpunimit.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë sa më parë liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Të njëjtin qëndrim shprehu sot edhe Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin gjithashtu nënvizuam rëndësinë e vijimit të dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme nga të dyja palët, që do të përshpejtonte proceset integruese të këtyre vendeve. E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është ndryshimi i kufijve por heqja e tyre si në vetë Bashkimin Europian, nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe të distancimit nga e kaluara e hidhur.”




