Lëshimi i fundit i raketës nga Koreja e Veriut përbën një avancim domethënës për programet e saj ushtarake, sipas ekspertëve, por Pheniani mund të kërkojë në fakt të sigurojë një pozicion force para një rikthimi të mundshëm në tryezën e negociatave.
Raketa lëshuar nga Koreja e Veriut këtë fundjavë, e quajtur ”Hwasong-12”, ishte me një fushëveprimi të pazakontë.
Bëhet fjalë për lëshimin e raketës së dytë që prej fillimit të vitit, pas dhjetëra raketave në vitin 2016.
Koreja e Veriut ka rritur përpjekje për të krijuar një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) në gjendje për të dërguar një kokë bërthamore në kontinentin amerikan.
“Drejtuesi koreano-verior, Kim Jong-Un ka intensifikuar provat, krahasuar me babain dhe gjyshin e tij dhe kjo ka nisur të japë frytet e saj”, theksoi Melissa Hanham, nga Instituti Middlebury i studimeve ndërkombëtare, në Kaliforni.
“Kjo është një shenjë e qartë progresi”, theksoi ajo.
Pheniani disponon që prej shumë kohësh raketa që mund të arrijnë shënjestrat në Korenë e Jugut ”Scud” me një rreze veprimi prej 500 kilometrash dhe në Japoni, Rodong nga 1 000 deri 3 000 kilometra.
Por, me një rreze veprimi prej 4 500 kilometra, ”Hwasong-12” mund të arrijë bazat amerikane në ishullin Guam, në Paqësor.





