Apneja e gjumit është një çrregullim i shpeshtë, i cili shkakton bllokim të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes gjatë gjumit dhe shpesh kalon pa u vënë re nga pacientët. Në një intervistë për Vizion Plus, specialisti i apnesë së gjumit, Edlir Dume, shpjegon faktorët të cilët ndikojnë në shfaqjen e këtij çrregullimi, si dhe shenjat më të zakonshme që e shoqërojnë atë.
“Apneja obstruktive e gjumit do të thotë që kemi një bllokim fizik, fiziomekanik të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Kryesisht ndodh kur nofulla dhe gjuha bien pas dhe kjo rrugë frymëmarrjeje fillon e ngushtohet. Në këtë moment kemi gërrhitjen, sepse ajri që kalon nga kjo rrugë frymëmarrjeje kalon në një hapësirë më të vogël dhe krijon vibrim të këtyre indeve, duke prodhuar zhurmën e gërrhitjes, deri në momentin që ajo mbyllet totalisht. Mund të zgjohet i përgjumur, i lodhur, mund të ketë dhimbje koke. Mund të duket sikur ka panik me rrahje të shpejta të zemrës. Nëse dikush nuk merr frymë gjatë natës, që nuk është në kontrollin e tij, patjetër që zemra do të fillojë të punojë më fort”, specialisti i apnesë së gjumit, Edlir Dume
Por apneja nuk është vetëm një problem që shfaqet gjatë natës. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë, ajo mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin.
“Do të japë probleme me organet dhe kryesisht me zemrën dhe trurin, për shkak të mosoksigjenimit. Në momentin që kemi një episod apneje, mbajmë frymën pa vetëdije për disa sekonda. Oksigjenimi fillon e bie dhe zemra duhet të punojë më fort për të furnizuar trupin me oksigjen. Kjo përhapet në çdo organ tjetër. Momenti i parë që pacienti vjen në klinikë apo në spital është paraqitja me shqetësimet e veta, që është kryesisht gërrhitja.”
Mjeku Dume ndalet gjithashtu te format e testimit dhe trajtimit të apnesë së gjumit.
“Prandaj është i rëndësishëm diagnostikimi. Testi bëhet në dy mënyra. Njëri është në kushte spitalore, me monitorim të orëve të gjumit për 8 orë. Sa më herët ta kapim, aq më mirë është, sepse evitojmë problemet kardiovaskulare dhe të memories. Më shumë preken meshkujt dhe mosha pas të tridhjetave. Forma tjetër është një test që mund ta merrni në shtëpi.”
Në të gjithë botën, rreth një miliard njerëz vuajnë nga apneja e gjumit, por 80% e tyre nuk janë diagnostikuar.
/vizionplus.tv





