Me vendim të Gjykatës së Posaçme, Belinda Balluku do të qëndrojë e pezulluar. Ballukut iu komunikua edhe vendimi që e ndalon të dalë nga Shqiperia. Seanca zgjati rreth pesë orë.
Në fuqi masat u lanë edhe për vartësit e saj, krerët e ARRSH dhe të KESH. Gentian Gjyli dhe Erald Elezi u lanë në në masa arresti shtëpiak ndaj drejt gjykatës u shoqëruan nga forca policie. Të tre të bashkëpandehurit kanë 5 ditë kohë për të apeluar masat respektive në Apelin e Posaçëm.
Seanca gjyqësore, e planifikuar për në orën nëntë, u shty me dy orë pas kërkesës së bërë nga avokatët e tre të pandehurve për tu njohur me aktet dhe fashikujt e dosjes hetimore qe i shërbyen gjykatës për t’i caktuar masat e sigurisë. Balluku i la ambientet e gjykatës rreth orës 9:45 për tu rikthyer në orën 11:00, derisa në 14:30 u njoh me vendimin e gjyqtarit paraprak.
Belinda Balluku eshte pezulluar si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si zëvendës kryeministre. Kjo për shkak të dyshimeve se ka kryer dy herë shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, fillimisht me tunelin e Llogarasë e më pas nga hetimet u zbuluan edhe abuzime me lotin 4 të Unazës së Madhe.
Tenderi për ndërtimin e tunelit ka pasur një fond limit 190 milionë euro, kurse ai e Unazës së Madhe, 20 milionë euro. Sipas SPAK, autoriteti kontraktues ka paracaktuar fituesit dhe ka zgjedhur ofertën më të madhe, dhe rrjedhimisht duke shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.





