Punimet për fazën e parë për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës janë drejt fundit dhe segmenti nga mbikalimi i Casa Italias deri te mbikalimi i Rinasit do të jetë i hapur i plotë për qarkullim deri në dhjetor.
“Punimet në këtë segment rrugor kanë hyrë në fazën më intensive të tyre, po punohet për rikuperimin e shtresave ekzistuese për kthimin e tyre në gjendje normale, për t’iu bashkuar korsive të tjera, që tashmë janë zgjeruar. Dy korsi shtesë për çdo sens lëvizjeje janë tashmë të përfunduara. Kjo fazë punimesh fillon nga mbikalimi i Casa Italias deri te mbikalimi i Rinasit. Është 6 km, është goxha i avancuar, presim ta hapim për qarkullim deri në fund të vitit. Trafiku është spostuar në korsitë e reja dhe punohet në pjesën ekzistuese për të bërë riparimin e shtresave dhe përshtatjen e tyre me standardet më të mira”, tha Gëzim Noni, përgjegjës i sektorit të menaxhimit të kontratave, ARRSH.
Paralelisht, së shpejti do të nisin punimet edhe për zgjerimin e një segmenti tjetër të autostradës.
“Do të kemi punime në segmente të tjera. Është vazhdimi i këtij segmenti deri në City Park dhe lidhja me nyjën e Kasharit. Punimet në terren nisin në punë ditësh. Afati i kontratës do të jetë diku te 24 muaj. Shumë shpejt do të kemi ndërhyrje për shtresat asfaltike të segmentit nga Vora deri te Ura e Dajlanit, do të ketë një përmirësim të shpejtë të tyre për të mos pritur zgjerimin total të rrugës, që ka filluar.”
Puna për një tjetër vepër të rëndësishme rrugore, Bypass-in e Tiranës, që do të lidhë Kasharin me Mulletin duke shfryrë trafikun në hyrje-dalje të kryeqytetit, pritet të nisë në ditët në vijim. Aktualisht, është lidhur kontrata për fazën e parë të këtij projekti, që do të përfshijë ndërtimin e rrugës nga Kashari deri në nyjën e Vaqarrit.
“Procedura të tjera të shpallura janë bypass-i i Tiranës, që sapo ka filluar angazhimi i mjeteve dhe njerëzve në terren për dy lotet e para të tij, për të cilat procedurat janë mbyllur para pak ditësh.”
Si zgjidhje edhe për trafikun, veçanërisht gjatë sezonit veror, edhe në Sarandë do të ndërtohet një bypass, që do të fillojë në fshatin Qafë Gjashtë deri në hyrje të qytetit. Për këtë projekt aktualisht është shpallur kompania fituese që do të kryejë punimet për fazën e parë.
/vizionplus.tv




