22 nëntori, dita e alfabetit të gjuhës shqipe është shënuar në Maqedoninë e Veriut me disa aktivitete. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti bëri thirrje për unifikim.
“Gjuhën tonë të lashtë duhet ta kultivojmë dhe ta promovojmë, të bëhemi bashkë dhe të vihemi në ballë të përpjekjeve për ta mbrojtur nga sulmet e përditshme. Deri dje punonim që ta avancojmë përdorimin e gjuhës tonë, ndërsa sot jemi vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kemi arrirë. Urime 22 nëntorin, ditën e alfabetit të gjuhës shqipe”, tha Ahmeti.
Kryeministri Mickoski kujtoi rëndësinë e gjuhës dhe arsimit si urë lidhëse mes dy popujve.
“Të dashur bashkëqytetarë, shkrim-leximi dhe arsimimi nuk janë luks, janë të drejta elementare dhe instrumentet më të fuqishme për transformim e shoqërisë sonë. Rëndësia e tyre nuk mund të matet me numra, por ndikimi i tyre shihet në jetën më të mirë të secilit individ dhe në përparimin e të gjithë bashkësisë. Të investojmë në shkrim-lexim, t’i hapim dyert e arsimit për të gjithë, të krijojmë shoqëri ku dituria do jetë valuta më e fuqishme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet që do të jetë gati për të ardhmen”, tha Mickoski.
Me një postim në rrjetet sociale Presidentja Gordana Siljanovska Davkova uroi shqiptarët për festën.
“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim. Gjuha krijon hapësirë për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes saj, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet mundësi për rritje individuale dhe kolektive. Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në indin tonë shoqëror dhe çelin hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë”, tha Siljanovska.
Në Muzeun e Alfabetit në Manastir nuk ishte vendosur asnjë simbolikë për festën e 22 nëntorit, ndërsa pas raportimit te mediave u valëvit flamuri shqiptar së bashku me atë të Maqedonisë së Veriut.
Ditët e fundit ligji për gjuhët ka rikthyer debatet në Maqedoninë e Veriut, nëse shqipja duhet të jetë ose jo gjuhë zyrtare , ndërsa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese./vizionplus.tv





