Subscribe

ENKELEJDA MEMA GAZETARE

Në vendoret e pjesshme të marsit, 20 është numri i kandidatëve që garojnë për kryebashkiakë. Edhe pse 11 parti u regjistruan, vetëm katër prej tyre dorëzuan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kandidatët e tyre, e konkretisht parti socialiste, demokratike, koalicioni “Shtëpia e Lirisë” dhe Lëvizja e Re.

 

Para dorëzimit të emrave, për të cilët KQZ do të bëjë edhe verifikimin nëse ka kandidatë që preken nga ligji i dekriminalizimit, partitë kanë nisur prezantimin e tyre.

 

Socialistët shkojnë në këto zgjedhje me tre emra të rinj. Në Shkodër me ish-prefekten Majlinda Angoni, në Vorë me arsimtarin Blerim Shera dhe në Dibër me ekonomistin Rahim Spahiu.

 

Në tre bashkitë e tjera, të Durrësit, Rrogozhinës dhe Lushnjes, kandidimi iu besua kryebashkiakëve të komanduar.

 

Kundërshtarët e socialistëve në këto zgjedhje të pjesshme do të jenë demokratët e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Veçmas vota e Durrsit, Shkodrës dhe Lushnjës do të konfirmojë se përveç anëtarësisë kush e zotëron edhe votën e elektoratit, Partia Demokratike apo Komisioni i Rithemelimit të PD-së.

 

Në Durrës Ardian Muka i “Shtëpisë së Lirisë” rivalizon Luan Hotin e PD-së, në Shkodër Bardh Spahia është përballë Xhemal Bushatit dhe në Lushnje, Indrit Sefa është në garë me Elton Banon.

 

Në të vetmet bashki, ku kandidon Lëvizja e Re, që pjesëmarrjen në zgjedhje e ka për sport elektoral janë Durrësi dhe Dibra.

 

Për vendoret e marsit do të shpenzohen 190 milionë lekë. Si në parlamentaret e prillit, zgjedhësit do të identifikohen elektronikisht dhe në Vorë vullneti politik do të votohet e numërohet elektronikisht.

 

Për herë të parë në këto zgjedhje, pjesëmarrja në votime pritet të numërohet elektronikisht. Pra, në çastin kur votuesi identifikohet, automatikisht ai është regjistruar në të dhënën për pjesëmarrje, e cila do të jetë publike në faqen zyrtare të KQZ-së.

 

Ky angazhim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, që pritet të miratohet, do të shërbejë për të mos përsëritur debatin për pjesëmarrjen siç ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit të një viti më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *