Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Në përkujtim të kësaj dite, pranë Kryeministrisë u zhvilluan homazhe për viktimat e 21 Janarit, ku morën pjesë drejtues politikë, familjarë të të vrarëve dhe qytetarë. Gjatë ceremonisë, Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim, duke rikujtuar ngjarjet e asaj dite dhe duke e cilësuar reagimin e shtetit të atëhershëm si një akt të rëndë dhune ndaj protestës qytetare.
Lexo edhe :
Related Posts
Rama theksoi se 15 vitet pa drejtësi për 21 Janarin përbëjnë një padrejtësi të madhe jo vetëm për familjarët e viktimave, por për gjithë Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Ai u shpreh se dhimbja dhe zhgënjimi i familjarëve janë shtuar me kalimin e viteve, ndërsa hija e pandëshkueshmërisë vijon të rëndojë mbi këtë ngjarje tragjike.
“Atyre që e kryen atë krim të pashembullt për Europën, duke përvëluar zemrat e familjarëve të katër burrave të rinj që nuk u kthyen më në shtëpi. Vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër vij në këtë godinë në 21 Janar. 15 vjet pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vjetët të një padrejtësie të madhe jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar, ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vjetët janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim. Dështim edhe i drejtësisë së re. I bëmë të pavarur, por nuk preken dot kriminelët e 21 janarit” u shpreh Rama.
Kryeministri shprehu gjithashtu kritika për sistemin e drejtësisë, duke theksuar se drejtësia e re duhej të kishte ndërmarrë veprime përkatëse për 4 vrasjet shtetërore të 21 Janarit.
“Atyre ndër ju që ishin gjyshër u ka ardhur koha për tu bërë stërgjyshër, atyre që ishin fëmijë u ka ardhur koha për tu bërë prindër, ndërsa atyre 4 pjesëve të shpirtit tuaj që u janë tretur trupat në dhe nuk u ka ardhur koha të prehen të qetë. As përmbysja e sistemit të vjetër të drejtësisë dhe as rënia e kultit të pandëshkueshmërisë, nuk kanë mjaftuar gjer më sot për ta zhdukur hijen e padrejtësisë mbi 21 janarin. S’ka mjaftuar as vendimi i Strasburgut më shumë se sa dy vite më parë që prokurorët e SPAK t’ia kishin kërkuar gjykatës speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërorë të 21 janarit, ndërkohë që në emër të drejtësisë, drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vitesh në u bëmë atyre veç duvara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta se sa vetes dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin në durim dhe në heshtje nga na jonë të gabimeve të tyre tejet shqetësuese të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës. Drejtësia për 21 janarin të vihet në vend”, tha Rama.
/vizionplus.tv






