Subscribe

Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e Washingtonit për iniciativën e bashkëpunimit rajonal, “Ballkani i Hapur”.

 

GABRIEL ESCOBAR

ZV/NDIHMES SEKRETAR I SHTETIT, SHBA

 

“Mendojmë se është një zhvillim shumë pozitiv në rajon dhe kemi nënshkruar një ndihmë prej afro një miliard dollarësh për ta mbështetur atë e gjithashtu një sërë projektesh të tjera. I kam dërguar mesazh Bashkimit Evropian se Ballkani është një rajon i mundësive dhe se unë do të doja të shihja përshpejtim të procesit të zgjerimit. Por, gjithashtu, do të doja t’i inkurajoja kompanitë amerikane dhe evropiane që ta shohin Ballkanin për atë që në të vërtetë është: një treg me një rritje të shpejtë, universitete të shkëlqyera dhe në një pozicion të jashtëzakonshëm gjeografik.”

 

Diplomati i lartë gjithashtu ka vlerësuar bashkëpunimin me Tiranën dhe Shkupin duke nënvizuar se të dyja vendet meritojnë dritën jeshile nga blloku evropian, brenda këtij viti.

 

“Nëse shikoni marrëdhëniet tona me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ata, për mendimin tim, janë gati të fillojnë negociatat e anëtarësimit në BE. Dhe ne shpresojmë që BE-ja ta miratojë këtë dhe t’i fillojë bisedimet këtë vit kalendarik. Partneriteti ynë me të dyja këto vende, si brenda NATO-s dhe dypalësh, ka qenë i jashtëzakonshëm. Ata kanë qenë aleatë të mirë, partnerë të mirë, janë miq të shkëlqyeshëm dhe kjo është ajo që unë po i them Bashkimit Evropian. Kjo është ajo që ata mund të presin nga këto vende.”

 

Sakaq, përpara vizitës në Bosnje Hercegovinë këtë të hënë, Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, siguron se Washingtoni nuk do të lejojë të ketë luftë në rajon.

 

“Unë me të vërtetë dua që njerëzit në Bosnje ta dinë se ne jemi të përkushtuar që nuk do të ketë luftë. Dhe, më besoni, të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe nënshkruesit e tjerë të Dejtonit, ku përfshihet Kroacia dhe Serbia janë të përkushtuara që të mos shohin një luftë në rajon. Marrëveshja që ndali luftën në Bosnje në vitin 1995  ka siguruar paqen për 25 vjet dhe është baza e politikës sonë. Çfarëdo lëvizje për të minuar Dejtonin, përfshirë atë që Millorad Dodik po bën tani, është shumë e dëmshme dhe destabilizuese për rajonin.”

 

Më 30 korrik, Asambleja Kombëtare e Republika Sërpska miratoi me procedurë urgjente, Ligjin për Moszbatimin e Vendimit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë Valentin Inzko mbi Ndalimin e Mohimit të Gjenocidit.

 

Pas atij vendimi, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik kërcënoi se Republika Sërpska duhet të fillojë procesin e shpërbërjes.

 

Si shtet, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet nga dy entitete të formuara pas luftës së viteve 1992-1995 – nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e banuar kryesisht nga myslimanë dhe kroatë, dhe nga Republika Sërpska, e banuar kryesisht nga serbë të Bosnjës.Kushtetuta e këtij vendi buron nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, e cila i dha fund luftës.

 

Ajo ndalon cilindo nga dy entitetet e vendit që të krijojë një agjenci që minon punën e organeve federale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *