E hënë, 16 Nëntor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:15 Në vijim ora 13:15: Dielli i Dimrit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Zjarri shkatërroi qindra biznese, tregtarët: Mundi i shumë viteve punë humbi në pak minuta

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar momentin e shpërthimit të zjarrit në tregun e ish-uzinës Dinamo në rrugën “5 Maji”.

Një flakë e vogël u shfaq fillimisht në pjesën e brendshme të një dyqani, në një kabull elektrik, e më pas u përhap me shpejtësi në bizneset përreth, të ndërtuara kryesisht me materiale të lehta dhe lehtësisht të djegshme. Në total u shkrumbuan dy kapanone me më shumë se 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 10,000 metër katrorë.

Një ditë pas zjarrit, pamja në treg është e zymtë: stenda të shkrumbuara, tenda të rrëzuara, mallra të djegura dhe tym i vazhdueshëm. Dëmet materiale janë të mëdha, ndërsa shumë tregtarë u gjendën përballë shkatërrimit total të bizneseve të tyre. Ata akuzojnë forcat zjarrfikëse se ndërhyrja e tyre ka qenë e vonuar.

Mes tregtarëve pati edhe incidente. Një prej të prekurve nga zjarri debatoi me përgjegjësin e tregut, të cilin e fajësonte për flakët. Në këto momente u desh ndërhyrja e policisë.

Reklamë

Tregtarët shprehen të dëshpëruar se kanë humbur gjithçka brenda pak minutash. Disa prej tyre pohuan se malli përbënte të gjithë investimin e punës së tyre gjatë viteve.

Ndërkohë, shkaqet e rënies së zjarrit po hetohen, dhe dyshimet paraprake lidhen me një defekt elektrik. Grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave dhe provat në terren për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Zjarri, i rënë mbrëmjen e të enjtes, shkaktoi panik mes banorëve të lagjes, pasi rrezikoi edhe pallatet aty pranë.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë