Kjo është gjithçka që mbeti pas zjarrit që përfshiu 7 fshatra të bashkisë së Gramshit. Mijëra sipërfaqe toke u shkrumbuan në atë që sipas banorëve ishte zjarri më i madh ndonjëherë.
Zjarri erdhi pranë banesës së familjes Çodollari, por falë luftës me flakët shtëpia e tyre nuk pësoi të njëjtin fat si banesat e komshinjve që u dogjën plotësisht.
Në këtë banesë e cila është shkrumbuar deri në themele si dëshmi se dikur aty ka patur jetë ka mbetur vetëm sahati i dritave i rënë në tokë ndërsa gjithçka tjetër u dogj.
Për shuarjen e zjarrit masiv u angazhuan qindra forca të shërbimeve të asistuara edhe nga 6 helikopterë.
Shefi i shërbimit zjarrfikës të Gramshit, Ilir Llapushi tregon se ky ishte operacioni më i vështirë dhe më i rrezikshëm që ka hasur ndonjëherë.
Zjarri dogji rreth 40 banesa duke lënë shumë familje në qiell të hapur, por për ta po kujdeset bashkia e Gramshit.
Kryebashkiaku Besion Ajazi thotë se institucioni që ai drejton po bashkëpunon me të gjithë bashkitë e qarkut dhe institucionet përkatëse për t’ju ardhur në ndihmë banorëve dhe për të bërë vlerësimin e dëmeve.
Edhe pse nuk ka ende të dhëna të sakta dëmet materiale të shkaktuara gjatë zjarrit në Gramsh llogariten kolosale./vizonplus.tv





