Një zjarr i qëllimshëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte një mobileri në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë.
Siç shihet në këto pamje, rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i maskuar është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet objektit, thyen xhamin e derës me një çekiç dhe më pas, duke përdorur një bidon të mbushur me benzinë, i vë flakën mobilerisë. Autori më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Flakët janë vënë re nga një fqinj, i cili ka njoftuar menjëherë pronarin e biznesit, Eduart Aliko. Ky i fundit ka mbërritur në vendngjarje vetëm pak minuta më pas dhe ka parë se kati i parë i mobilerisë ishte përfshirë tërësisht nga zjarri.
Eduart Aliko, në një prononcim për mediat është shprehur se nuk ka konflikte me njeri.
“Nuk kam asnjë konflikt me askënd. As me konkurrencën nuk besoj të kem probleme. Ia lë drejtësisë ta zbardhë këtë ngjarje dhe të kapë autorin”, tha ai.
Forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pamjet e kamerave të sigurisë janë sekuestruar si provë materiale./vizionplus.tv





