Situata në Gramsh është përshkallëzuar në një emergjencë të vërtetë civile, pasi zjarri ka marrë përmasa dramatike në disa zona malore të rrethit. Fshatrat Kullollas dhe Bletëz janë plotësisht të bllokuara, ndërsa ndërhyrja nga toka është e pamundur për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve.
Reporter nga terreni tregojnë gra dhe fëmijë që qajnë, ndërsa shumë banorë refuzojnë të largohen nga shtëpitë, duke krijuar një situatë kaotike dhe të rrezikshme për jetën e tyre. Thirrjet për evakuim nga autoritetet nuk po merren parasysh nga të gjithë, ndërsa zjarri vijon të përhapet me ndihmën e erës dhe temperaturave të larta.
Lexo edhe :
Related Posts
Për të menaxhuar situatën kritike, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Emergjencave Civile janë nisur drejt zonës, për të ndjekur nga afër operacionin dhe për të koordinuar ndërhyrjet. Paralelisht, katër helikopterë zjarrfikës janë nisur për të ndërhyrë nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave.
Bashkia Gramsh ka bërë thirrje urgjente për evakuimin e banorëve nga zonat më të prekura, duke i kërkuar të bashkëpunojnë me forcat e emergjencës për të shmangur humbje në njerëz.
Pas shuarjes së flakëve, pritet një bilanc i plotë i dëmeve materiale, ndërsa dyshohet për një humbje jete, edhe pse autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht.
/vizionplus.tv






