Subscribe

Procesi i plotësimit të Gjykatës Kushtetuese vazhdon të zvarritet si pasojë e ankimeve dhe betejave mes Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe kandidatëve të përjashtuar nga gara. Për të dytën herë kandidatja e skualifikuar nga këshilli Zhaklina Peto ka fituar në Gjykatën Administrative të drejtën për të rihyrë në garën për Gjykatën Kushtetuese, duke e kthyer procesin në fazën që ishte në tetor kur u mor për herë të parë vendimi se cilët kandidatë duhet të përjashtohen nga gara; një qerthull i cili ka sjellë reagimin e ambasadorëve kryesorë në vend të cilët i kanë vendosur afat këshillit për të mbyllur çdo procedurë.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të mblidhet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për t’i dërguar listën e kandidatëve Presidencës dhe Parlamentit. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri 31 dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë.”

LUIGI SORECA

AMBASADOR I BE

“Është me të vërtetë kritike që KED  të përfundojë shpejt vlerësimin e kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kyç për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare.”

Diplomatja amerikane jo thjesht i ka vënë afat këshillit, po ka tërhequr vëmendjen që proceset nuk duhet të keqpërdoren, por deri tani këshilli është mbledhur vetëm për miratim procesverbali.

Zhaklina Peto ka kandiduar vjet për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe është skualifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi; këtë vit Peto ka goditur dy herë në Gjykatë Administrative Këshillimin e Emërimeve në Drejtësi; por pavarësisht se Administrativja e kthen në garë nuk ka gjasa që këshilli të ndryshojë vendimin e tij për t’i ndaluar kandidimin në Gjykatën Kushtetuese.

Nëse procesi i ankimeve do të ishte mbyllur; këshillit i duhej vetëm një mbledhje për të vlerësuar kandidatët Sonila Bejtja e Altin Binaj e për t’ia dërguar presidentit dhe parlamentit për të zgjedhur dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *