Subscribe

Pas rehabilitimit të trotuareve në Rrugën e Kavajës, Bashkia e Tiranës po vijon punën për zgjerimin e tyre edhe në disa rrugë të tjera të qytetit, për të mundësuar kalimin më lehtë të këmbësorëve, të karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe.

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për zgjerimin e trotuareve në “Ibrahim Rugova”, pranë shallvareve, dhe vlerësoi faktin se edhe ky investim shkon në favor të këmbësorëve dhe personave me aftësi ndryshe.

 

 

“Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si po rikuperojmë tokë dhe terren, që më përpara ishte vetëm pronë e makinave, të cilat në fakt janë vetëm 20% e popullatës, kurse 80% e njerëzve ecin në këmbë, përdorin biçikletat dhe transportin publik. Kjo rrugë vërtetë ka qenë një rrugë tregtare, një rrugë me dyqane, me kafe e biznese, ama për trotuar kishim një shteg dhish, i cili nuk lejonte të shkëmbeheshin dy vetë, e jo më të shijonin vitrinat apo të bënin biznes.”

 

Sipas kryebashkiakut, shumë prej trotuareve të zaptuara gjatë viteve ‘90 janë legalizuar dhe hipotekuar, prandaj për zgjerimin e trotuarit përgjatë gjithë segmentit rrugor nga “Myslym Shyri” deri tek ura e Lanës janë përdorur hapësirat që më herët përdoreshin për parkimin e makinave.

 

Veliaj shtoi se projekti i radhës është ndërhyrja në parkun “Rinia”, i cili do t’i nënshtrohet një ndërhyrje totale nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, për ta transformuar edhe këtë hapësirë në një mundësi më shumë për argëtim për fëmijët dhe të rriturit.

 

 

Ai ftoi qytetarët të jenë bashkëpunues me bashkinë, jo vetëm për të mirëmbajtur investimet, por edhe për të sugjeruar ndërhyrjet e radhës që mund të bëhen në zona të ndryshme të Tiranës.

 

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka nisur projektin për të përshtatur të gjitha trotuaret dhe rrugët për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe, duke mundësuar kështu një qytet për të gjithë.

 

Sipas kryebashkiakut, këto lloj investimesh jo vetëm u vijnë në ndihmë qytetarëve, por i nxisin ata të përdorin mënyra alternative për të lëvizur dhe jo detyrimisht makinën.

 

Me ndërhyrjen e bashkisë trotuari përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova” është zgjeruar në 2.5 metra, ndërkohë që është bërë lëvizja e plotë e pusetave shimbledhëse, por edhe ndriçuesve të rrugës. Heqja e mundësisë së parkimit në këtë zonë rikuperohet, sipas bashkisë, me parkingjet që janë ndërtuar dhe janë në plan për t’u ndërtuar në zonën përreth. Ndërkohë, nuk është prekur gjerësia e rrugëve për lëvizjen e makinave.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *