Marash Dukaj, ministri për Administratën Publike në qeverinë e Malit të Zi, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me rezultatin e arritur në zgjedhjet e mbajtuara të dielën nga Forumi Shqiptar, i cili siguroi dy mandate.

 

A është i kënaqur forumi me rezultatin e arritur?

 

“Jemi të kënaqur, ne e kemi pritur këtë rezultat sepse rezultati i Forumit Shqiptar është fryt i arritjeve që kemi bërë që nga viti 2019”, thekson ai duke nënvizuar se ishte dhe hera parë që fitonin zgjedhjen në komunën e Tuzit. “Dëshmuam me punë dhe vepra se qëllimi jonë është zhvillimi i të gjithave trevave, jo vetëm i Tuzit dhe i Malësisë, por i të gjitha trevave në Mal të Zi”, shton ai.

 

Prej vitit 2000 Mali i Zi ka ‘notuar’ në një lloj destabiliteti politik, sa gjasa ka që në zgjedhjet e djeshme që të futet në rrugën e stabilitetit?

 

“Ne do të fokusohemi së pari të zgjidhim çështjet në oborrin tonë, shqiptarët duhet të bashkëpunojnë. Një numër i madh i deputetëve që nuk ka ndodhur herën e fundit në vitin ’99 që kemi pasur 4 deputetë nga subjektet nacionale dhe nga atëherë për hir të ligjeve diskriminuesve për shqiptarët dhe pakicat numri i deputetëve shqiptarë është ulur. Ne duhet që fillimisht të ulemi deputetët shqiptarë dhe të bëjmë një platformë të përbashkët për negociata me subjekte tjera që pretendohet të jetë pjesë e shumicës”, tha ai duke theksuar se rezultati tregon që shumica u fitua nga listat pro-europiane.

 

Mali i Zi është republikë e pavarur prej vitit 2006, në vitin 2017 bëhet pjesë e NATO-s, ndërsa negociatat me BE kanë vite që kanë filluar. Megjithatë, ende në Mal të Zi ka ende forca politike të konsideruara si pro-ruse, si e shikoni realisht të ardhmen?

 

“Në BE e vetmja rrugë, pavarësisht se dikush mendon dhe pretendon se Mali i Zi është larguar nga rruga euro-atlantike, kjo nuk qëndron. Ato subjekte të cilat në mënyrë ekstreme edhe me pushtetin e Beogradit, ndoshta dhe me politikat ruse kanë marrë 14%. Kjo dëshmon më së miri se Mali i Zi është i orientuar drejt BE. Shqiptarët si faktor shumë i rëndësishëm në këtë proces do të japim maksimumin dhe do të jemi siç kemi qenë deri më tani garant i stabilitetit, bashkë me boshnjakët dhe kroatët, që kemi 11 mandate nga pakicat apo minoritetet në parlamentin e ardhshëm të Malit të Zi dhe kjo dëshmon se ne do të jemi një ndër elementët kryesorë për ruajtjen e stabilitetit”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *