Qeveria e konsideron fitoren e zgjedhjeve në Himarë, si spektakolare. Ndërsa opozita e konsideron atë grabitje.
Në një postim në rrjetin social Facebook, pak pas përfundimit të procesit të numërimit, kreu i qeverisë Edi Rama komentoi procesin duke premtuar se bashkë me krybashkiakun e ri do ta kthejë Himarën në një destinacion unik turistik
“Me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer Himarën 2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”, shkruan Rama në Facebook.
Ndërsa kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, evidentoi disa fakte që sipas tij ndikuan në devijimin e rezultatit final në zgjedhjet e pjesshme të Himarës.
“Edivin Gjipea pasi rrëmbeu me dhunë terror burgim politik mandatin e Fredi Belerit në Himarë kreu dje grabitjen e tyre të mandatit me kukullën e tij Vangjel Tavo. Ai në këtë grabitje mobilizoi në shkelje të ligjeve dhe kushtetutës të gjithë potencialin e shtetit kriminal elektoral dhe institucionet e tij, ju mohoi të drejtën kushtetuese të votës 6153 qytetarëve të Himarës me motivin e skadimit të afatit të kartave të identitetit ndërkohë që në maj të vitit 2023 me vendim të veçantë i kishte lejuar të votonin”, u shpreh Berisha.
Berisha shton më tej se 360 votues janë shtuar në listat Himarës nga Saranda dhe Tirana. /vizionplus.tv





