Kreu i Lëzvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, në një lidhje me Edicionin Qendror të Lajmeve të Orës 19:00 të moderuar nga Aleksandër Furxhi në Vizion Plus, foli për datën e zgjedhjeve dhe konsultat me Presidentin e Republikës.
I pyetur nga moderatori Furxhi se çfarë ndryshimi ka data e zgjedhjeve mes datës 4-ër që kërkon opozita dhe datës 11-të që kërkon mazhoranca, Shehi tha se ka një ndryshim shumë të madh.
Ai tha se mazhoranca kërkon të bëjë zgjedhje vetëm dy ditë pasi në Tiranë do të zhvillohet ceremonia ku përkujtohet dita e çlirimit të Europës dhe do të marrin pjesë liderët e BE.
Sipas Shehit nëse në Shqipëri në datë 9-të vijnë Macron e shumë lider të tjerë të Europës, atëherë pak televizione do të merren me zgjedhjet.
Pjesë nga biseda:
Furxhi: Ky propozim për datën 11 maj, a ka ndonjë rëndësi, apo çfarë rëndësie ka në përgjithsëi data e zgjedhjeve për mendimin tuaj?
Shehi: Unë gjykoj se ka rëndësi për disa rrethana specifike. Nuk ka rëndësi për ata që tha Komisionineri i Zgjedhjeve, i cili tha na duhet edhe një javë që ti përgatisim më mirë. Desha ti them një fjalë të urtë shqiptare nuk shëndoshet dashi për një ditë Bajrami, kështu që kjo nuk qendron. PS i do më datë 11, ne në datë 4-ër. E dini pse, sepse në mes është një datë shumë e rëndësishme, Pasi këtu në datë 9 mblidhen për fitoren e nazifashizmin. Zgjedhjet duhet të bëhen në datë 4, dhe Rama ti vijojë këto ceremonitë pas zgjedhjeve, pse para zgjedhjeve të gjitha televizionet do të mbushen me këto gjëra. /Vizionplus.tv/




