Arben Malaj, ish-ministri i financave, i ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, u shpreh se meritat për integrimin e Shqipërisë në BE nuk duhet t’i marrë kryeministri.
Sipas Malajt, BE është duke menduar për ta përshpejtuar zgjerimin dhe zgjerimi do të jetë në grup, jo një nga një, dhe kjo nuk ka të bëjë me qeverisjen e Ramës.
Ish-ministri deklaroi se Rama nuk ka asnjë kontribut që të lejojë një opozitë të zhvillohet.
Në Quo Vadis, Malaj tregoi dallimet mes qeverisjes Rama-Nano, teksa nënvizoi se Nano ndau pushtet për të bërë shtet.
Ish-ministri i financave tha se Rama duhet t’i përgjigjet deklaratave të Ahmetajt, pasi është e turpshme që kryeministri i një vendi të varfër të pijë verë 33 mijë euro e ndërkohë banorët mos të kenë ujë.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Mendoni që shkon e sigurt PS drejt një mandati të katërt?
Malaj: Probabiliteti, pavarësisht nga vërejtjet se vërejtjet unë i kam, sepse më dhimbset vendi im, nuk e kam braktisur, nuk kam ikur. Më vjen keq që gjithë ndërkombëtarët pasqyrojnë një përkeqësim të qeverisjes së vendit tonë.
Borakaj: A funksionon në zgjedhje karta e integrimit në BE dhe sa e realizueshme është?
Malaj: Përdorimi i kësaj si prioritet kombëtar për një përfitim elektoral, partiak dhe personal është një deformim i madh që i bëhet zhvillimeve të ardhshme që po i bëhet vendit tonë. Rruga evropiane e Shqipërisë është e përcaktuar. BE është duke menduar për ta përshpejtuar zgjerimin dhe zgjerimi do të jetë në grup, jo një nga një. Dhe në fjalimet e Ramës ka shumë dezinformim për faktorin dhe hapat e integrimit. E vetmja këshillë për të kuptuar dezinformimin është të verifikosh faktet. Rama thotë “ne parakaluam Maqedoninë e Veriut.” Maqedoninë e Veriut e parakalon kur jeni njësoj dhe ju ecni para. Maqedonia e Veriut ka 20 vjet që shinat e saj kanë dalë nga rruga, i nxori Greqia. Për shkak të kushtëzimeve që ka bërë Greqia, dhe tani që rri me lëvën në dorë, politika dhe demokracia bullgare përpiqen të nxjerrin shinat dhe të kërkojnë edhe ato ndryshim në kushtetutë. Pra, ti ke parakaluar një tren që është i prishur. Çfarë merite ke ti?
Borakaj: Është e realizueshme rruga e Bashkimit Evropian?
Malaj: Nuk ka fare të bëjë me Ramën. Ka të bëjë me inspirimin kombëtar të shqiptarëve, që në të gjitha testet janë kombi me mbështetjen më të madhe evropiane. Lideri ka kontribute, siç ishte lideri në Kroaci, që ai ishte një vend nacionalist dhe ai e kaloi në vend të hapur, mendjehapur për Evropën. Megjithëse ai vetë, për shkak të një korrupsioni, është në burg. Në këtë aspekt, ne kemi avantazhe natyrore që na favorizojnë. Nuk kemi konflikte etnike, nuk kemi konflikte fetare dhe jemi vendi me mbështetjen më të madhe për integrimin evropian. Ne jemi si komb, problemi do të ishte nëse do e kishte erën kundër me kombin e tij dhe ky bëri një kontribut të jashtëzakonshëm.
Borakaj: Është i favorizuar Rama nga opozita, gjysma e përçarë, gjysma e burgosur?
Malaj: Disa diplomat qeshin me argumentin e Ramës që problemi më i madh që ka Rama është se vendi nuk ka opozitë. Rama nuk ka ndodnjë kontribut që të lejojë një opozitë të zhvillohet. Unë po të them dallimin e madh që kishte Rama me Nanon. Nano hodhi tezën, “do ndajmë pushtet për të bërë shtet”. Kryetari i Këshillit të Ministrave zgjidhej nga opozita, Bordi i Bankës së Shqipërisë, gjysmë për gjysmë. Personat që zgjidhnin problemet e drejtësisë, me negociata. Tani janë të gjitha pushtetet në një dorë dhe ka një taman të madhe për t’i pasur në një dorë. Trashëgimia e Ramës, kush do të jetë në lidhje me institucionet? Arroganca qeveritare është e madhe. Tani ti përgjigjet Rama- Ahmetajt që tha “ke pirë verë 33 mijë euro.” Është e turpshme që kryeministri i një vendi të varfër të pijë verë 33 mijë euro dhe banorët në zonën që unë kam pasur, kanë 7 vite që nuk kanë ujë. Çfarë është kjo qeverisje për interesa personale?
/vizionplus.tv





