Erion Veliaj ka bërë një tjetër hap duke goditur në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentit të Republikës që shpalli datën e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Ai pretendon se kreu i shtetit ka cenuar drejtpërdrejt autonominë vendore.
Nga ana tjetër, zgjedhjet janë shumë afër, por opozita nuk ka ende kandidaturat përfundimtare për garën në 6 bashki, madje është në dilemë nëse do t’i bojkotojë apo do të marrë pjesë në këto zgjedhje.
Analisti dhe gazetari Flogert Muça e sheh veprimin e Erion Veliajt si plotësisht të drejtë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zili, Muça tha se Veliaj ka një proces juridik i cili duhet të ndahet nga procesi politik, teksa shtoi se Begaj ka marrë “Ok”-in e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të dekretuar datën e zgjedhjeve.
Muça shtoi se Sali Berisha do të ndjekë një skemë për të hequr dorë nga humbja në zgjedhjet e 9 Nëntorit, duke nënvizuar se do të dalë me një kandidat të ligës së dytë, ose me një kandidat të propozuar nga Agron Shehaj.
Vetëm kështu, sipas analistit, Berisha do t’ua lërë humbjen të tjerëve.
INTERVISTA E PLOTË:
Një koment lidhur me zhvillimin e orëve të pasdites, pra me goditjen që z. Veliaj i bëri dekretit të presidentit në Gjykatën Kushtetuese?
Muça: Është në të drejtën e tij absolute. Veliaj ka një proces juridik i cili duhet të ndahet nga procesi politik. Procesi politik është i detyrueshëm, thotë dhe vetë Rama, për Partinë Socialiste, por juridik është i pandalshëm për Veliajn. Veliaj ka një rrugëtim të gjatë, e ka të vështirë. Sot Gjykata e Lartë ka vendosur që të qëndrojë në burg dhe është e drejta e tij juridike, si çdo qytetar tjetër, të bëjë gjithë procesin për të shkuar sa më shpejt në Strasburg.
Do doja një koment lidhur me qëndrimin e presidentit. Si e sheh ti shpalljen e dekretit dhe arsyetimin që e shoqëroi?
Muça: Kam pritur 24 orë që ambasada amerikane të shprehet për rastin. Kur ndodhi dekreti, përfaqësuesja e SHBA-ve ishte në presidencë për tre çerek ore. Fakti që ajo ka qenë aty, ka diskutuar dhe më tej është dekretuar data e zgjedhjeve, mendoj se kanë edhe bekimin e tyre. Në kuptimin politik, presidenti ka marrë edhe një “OK” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sa vlerë kanë kundërshtimet e opozitës në një kohë që palët në terren në fakt janë duke u bërë gati për garën e bashkive?
Muça: Kjo është pjesa komike e historisë. Një parti politike proteston për 48 javë të largohet Erion Veliaj, votojnë në këshillin bashkiak që të ikë Erion Veliaj dhe tani që janë para faktit që është shkarkuar nga Këshilli i Ministrave dhe është dekretuar data e zgjedhjeve nga presidenti, opozita del kundër. Kjo vetëm në opozitën tonë ndodh. Janë në dëshpërim, janë të papërgatitur për garë.
Opozita ende nuk ka një emër kandidati për Tiranën e madje as një qëndrim të qartë nëse do të marrë pjesë apo jo në zgjedhje, përse një konfuzion i tillë sipas jush?
Muça: Nëse opozita merr pjesë, i bie që të certifikojë një shkelje kushtetuese. Nëse nuk merr pjesë, del në kundërshtim me atë që bëri në këshillin bashkiak. Është e zënë ngushtë. Emrat që vërtetë kanë vota, Alimehmeti dhe Tabaku, e dinë që kjo do ishte djegia politike e tyre. Doktori, për të hequr dorë nga humbja dhe për t’ua lënë humbjen të tjerëve, do fusë një kandidat të ligës së dytë, që mund të jetë i partisë së tij, ose ndonjë propozim i ndonjë kandidati të Agron Shehajt.
Tashmë kemi tre emra të rinj të dalë nga negociatat: Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Hackaj. Sa serioze janë për ju këto kandidatura?
Muça: Janë tre emra të respektuar në qytet, intelektualë, por nuk mjaftojnë. Duhet makineria elektorale dhe karizma politike që e kanë “yllin në ballë” për të mundur një makineri elektorale si ajo e PS-së. Për shkak të profilit të tyre, nuk janë me “yllin në ballë”, që të jenë liderë të spikatur.
/vizionplus.tv





