Kryeministri Edi Rama po mban këtë të mërkurë takimin e fitores në sheshin “Skëndërbej”.
PS kryesoi në zgjedhjet e 11 majit, duke “rrëmbyer” deri më tani 83 mandate, e duke lënë pas PD-ASHM me 50 mandate, teksa nënvizojmë se është duke vijuar ende procesi i numërimit për votat e diasporës.
Rama falënderoi qytetarët që i besuan mandatin e katërt, brenda dhe jashtë vendit.
Ai theksoi se shumica e votuesve jashtë vendit mendojnë si shumica brenda vendit, për Shqipërinë drejt BE.
Rama: Në kujtesën time, kjo fjalë “fitore” ka qenë më e vështira deri më sot për t’u bërë një fjalë që arrin të thotë atë çka për mua është kjo fitore. Është e vështirë të them atë që mendoj prej orësh të gjata përballë një arritjeje të tillë, e cila është historike. Nuk ka fjalë të mjaftueshme për t’i falënderuar mijëra gra dhe burra, vajza e djem të familjes sonë politike. Faleminderit aq herë sa ka anëtarë dhe anëtare të familjes sonë politike që e bënë siç duhet pjesën e tyre për këtë fitore. Faleminderit çdo zgjedhësi, çdo mbështetësi. Një falënderim për krejt shqiptarët e Greqisë, Europës, Italisë e kudo tjetër që u regjistruan si zgjedhës. Fantastik ka qenë numri i pjesëmarrësve, një nga më të lartit nga votimet e diasporës që janë parë në Europë. Një përqafim nga sheshi i Skënderbeut. Edhe pse numërimi vazhdon, shumica e votuesve jashtë mendojnë si shumica e votuesve brenda për Shqipërinë në BE. Shumica dërrmuese e shqiptarëve votojnë për një Shqipëri që bëhet gjithnjë e më mirë.
/vizionplus.tv





