Kryesia e kuvendit ka njoftuar zyrtarisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës së mandatit të deputetit, pas zgjedhjes së Ilir Metës, President i Republikës. Sipas kodit zgjedhor, mandati i Metës i takon Ylli Manjanit, i cili e pason në listën shumëemërore të LSI-së për zgjedhjet e 2013. Por mësohet se Manjani ka deklaruar se nuk do ta marrë mandatin e deputetit. Në këto kushte, ky mandat i kalon kandidatit për deputet të LSI-së Ardit Çela. Pas njoftimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet për të marrë vendimin për plotësimin e vendit vakant. Mandati do të zgjasë formalisht deri në fillim të muajit shtator, kur nis punën parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti.





