Zelensky: Pozicionet e ushtrisë ukrainase në front mbeten të forta

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se pozicionet e ushtrisë ukrainase në vijën e frontit vijojnë të jenë të forta, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të forcave ruse për të avancuar në lindje të vendit.
Në një mesazh, Zelensky u ndal veçanërisht te situata në rajonin e Donetskut, ku trupat ukrainase po mbrojnë qytetet Dobropilya dhe Kostyantynivka nga ofensiva ruse.
“Sa i përket situatës në fronte, pozicionet tona mbeten të forta. Edhe pse rusët po bëjnë përpjekje të mëdha për të përparuar drejt Dobropilyas dhe Kostyantynivkës, ne po i shtypim pushtuesit”, deklaroi presidenti ukrainas.
Nga ana tjetër, Moska ka pretenduar se ka marrë kontrollin e plotë të këtyre dy qyteteve. Muajin e kaluar, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se trupat ruse kishin marrë Dobropilyan, ndërsa një pretendim të ngjashëm për Kostyantynivkën e kishte bërë edhe gjatë verës.
Megjithatë, autoritetet ukrainase kanë hedhur poshtë pretendimet e Moskës, duke këmbëngulur se të dy qytetet nuk kanë rënë nën kontrollin e forcave ruse.
Zhvillimet në rajonin e Donetskut mbeten një nga pikat kryesore të përplasjes mes dy ushtrive, ndërsa luftimet vijojnë përgjatë frontit lindor të Ukrainës.




