Policia e Fierit ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave në fshatin Vadhizë.
Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Led”, u arrestua autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, shtetasi I. G., 63 vjeç, banues në Vadhizë, i cili kultivonte bimët në ambientet e banesës së tij.
Gjithashtu u arrestua edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi R. M., 61 vjeç, banues në Patos, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura./vizionplus.tv





