Policia e Durrësit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “STORM”. Si rezultat u zbulua një apartament i marrë me qira nga dy shtetase kolumbiane ku ushtrohej prostitucion.
Dy shtetaset kolumbiane u arrestuan, ndërsa gjashtë shtetas shqiptarë u proceduan penalisht.
“Dy shtetaset kolumbiane kishin marrë një apartament me qira në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, dhe e shfrytëzonin për prostitucion. Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 1, rruga “Taulantia”, zona e Vollgës, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetaset J. C., 23 vjeçe, dhe M. A., 25 vjeçe, lindur dhe banuese në Kolumbi. Gjithashtu, gjatë operacionit u proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe 6 shtetas shqiptarë nga Durrësi, Shijaku dhe Kavaja, për veprën penale “Prostitucioni””, njofton policia.
Në përfundim u sekuestruan 2 pasaporta të shtetaseve të huaja, shuma parash në euro dhe lekë, si dhe 10 formularë dërgesash monetare me vlerë totale 15 093 euro, të transferuara familjarëve në Kolumbi brenda një periudhe 20-ditore.





