Partia Socialiste mbledh të enjten paradite grupin e saj të deputetëve nën moton “Sfidat parlamentare për Shqipërinë 2030”. Takimi i cili zhvillohet në Pallatin e Brigadave, do të nisë fjalën me Kryeministrit Edi Rama.
Burime nga PS zbuluan se Rama do të bëjë të ditur edhe qëndrimin që do të mbahet në parlament lidhur me kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit të numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Pas mbledhjes së këshillit të mandateve, kreu i grupit socialist Taulant Balla deklaroi se çështja “Balluku” do të shqyrtohej në takimin më të parë të deputetëve, ndërsa raporti po hartohet nga Ulsi Manja.
Ndërkohë, në mbledhjen e grupit socialist është parashikuar që të raportojnë 10 ministra e secili prej tyre do të ketë 7 minuta në dispozicion për të prezantuar punën e dikastereve përkatëse.
Në agjendën e bërë publike nga Partia Socialiste nuk është përfshirë raportim nga ministrja e energjisë dhe infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në fund, mbledhja do të mbyllet me fjalën e kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla./vizionplus.tv





