Këtë të diel, shumë zona të vendit janë zgjuar nën “pushtetin” e borës.
Në juglindje, trashësia e dëborës në lartësitë mbi 800 metra ka arritur deri në 30 cm, veçanërisht në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë. Nuk raportohen probleme me qarkullimin, pasi është bërë e mundur mbajtja hapur e këtij segmenti.
Sa i përket zonave malore, si fshati Panarit, mësohet se në pikën e Mashkullorës trashësia ka arritur në 60 cm. Po ndërhyhet me borëpastruese për të siguruar qarkullimin e hapur.
Probleme janë paraqitur në rrugën e re të Ersekës, ku është ndaluar qarkullimi. Për të shkuar drejt këtij qyteti, duhet të përdoret rruga e vjetër.
Pas reshjeve të shumta të dëborës, ka pasur probleme me furnizimin me energji elektrike në fshatrat e Pogradecit, Korçës dhe Kolonjës.
Situata është e ngjashme edhe në veri. Në Qarkun e Dibrës, reshjet e borës janë ndërprerë, duke i lënë vend ngricave. Aktualisht, aksi nacional Peshkopi-Burrel-Milot është i kalueshëm, ndërsa akset problematike si Rruga e Arbërit, bypasi dhe Ura e Çerenecit-Stëblevë kalohen me vështirësi, duke kërkuar vendosjen e gomave dimërore.
Sa u përket rrugëve rurale, rruga Peshkopi-Lurë kalohet me zinxhirë, ndërsa janë të bllokuara rrugët e brendshme që lidhen me qendrat administrative në Ostren dhe Trebinjë.
Edhe në Shkodër ka pasur reshje dëbore. Akset Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth mbeten ndër më problematiket.
Në Kukës, reshjet kanë prekur edhe Shishtavecin, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 cm. Shumë fshatra kanë mbetur pa energji elektrike./vizionplus.tv





