Komisioni i Venecias publikoi sot opinionin në lidhje me përplasjen e krijuar mes mazhorancës socialiste dhe Gjykatës Kushtetuese, nëse deputeti është apo jo i detyruar të votojë sipas vendimit të Kushtetueses. Ngërçi mes Kushtetueses dhe deputetëve socialistë erdhi pasi për dy herë me radhë mazhoranca votoi kundër dërgimit në Gjykatë të mandatit të socialistes Olta Xhaçka, edhe pse Gjykata kishte vendosur që parlamenti duhet të votojë pro.
Në lidhje me pyetjen e kryetares së kuvendit Elisa Spiropali: a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar, nëse ka përjashtime, cilat janë ato dhe a lidhen me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti, ekspertët e Venecias shpjegojnë se deputeti është i lirë të votojë sipas bindjes së tij, si një mënyrë për ta mbrojtur atë kur voton ndryshe nga vullneti i partisë, ndryshon kamp politik apo bëhet i pavarur dhe askush nuk mund t’ia heqë atij mandatin. Komisioni i Venecias sjell në vëmendje se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë në bazë të bindjes së tyre është konfirmuar edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Lexo edhe :
Related Posts
“Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.”
Por ka përjashtime nga ky rregull sipas Komisionit të Venecias:
“Respektimi nga të gjitha autoritetet i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si një element i shtetit të së drejtës. Ky respektim nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare, por përbën një kërkesë thelbësore të shtetit të së drejtës. Kur një vendim i Gjykatës Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të pushtetit vendimmarrës të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë një vendim të përputhur me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë vetëm për çështjet e kufizuara siç përcaktohen nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo edhe për mundësinë e referimit të çështjes në Gjykatë. Në këtë mënyrë, Parlamenti nuk detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar, por është i kufizuar të votojë vetëm për çështjet që hyjnë në kompetencën e tij..”
Në dokumentin prej 15 faqesh ekspertët e Venecias kritikojnë edhe Gjykatën Kushtetuese e cila rrëzoi kërkesën e deputetëve të drejtuar nga Sali Berisha që kjo Gjykatë të shqyrtonte në themel çështjen e mandatit të deputetes Xhacka. Sipas ekspertëve të Venecias, Kushtetuta i jep të drejtë 1/5 së deputetëve të kërkojnë në Gjykatë shqyrtimin e mandatit të një deputeti.
Siç ka ndodhur tradicionalisht, secili kamp politik ka lexuar paragrafet e opinionit të Venecias që u japin të drejtë. Në emër të PS, kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, Venecia i dha të drejtë PS.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi deklaroi se Venecia i dha të drejtë opozitës:
“Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.” Shkroi bardhi ne nje reagim ne rrjetet sociale./Vizionplus.tv






