Konflikti për një pronë në hyrje të Kepit të Rodonit në Durrës ka bërë që shumë persona nga dy palë të përfshihen në përleshje me njëri-tjetrin, madje sherri është shoqëruar edhe me të shtëna armësh.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se Bajram Koculi, banor i fshatit Shetaj ka një pronë në hyrje të Kepit të Rodonit, ngjitur me rrugën ku po kryhen punime për rrethimin e zonës që është pronë e kishës franceskane. Punimet po kryhen nga një shoqëri private, por disa ditë më parë ato janë bllokuar nga IMT e Durrësit në bashkëpunim me policinë e Manzës dhe struktura të tjera vendore.
Shtetasi Bajram Koculi pretendon se rrethimi që po kryhet ka hyrë në pronën e tij dhe për këtë arsye ka nisur konflikti kohë më parë. Ditën e djeshme palët janë konfliktuar sërisht, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe ish deputeti Mark Frroku. Referuar njoftimit zyrtar të policisë, Mark Frroku ka qenë përfaqësues zyrtar i kishës franceskane.
“Ditën e djeshme, shtetasit B. K., E. R., O. R., Y. R., banorë të fshatit Shetaj, janë konfliktuar me sende të forta me shtetasit N. S., M. F., A. L., P. D. dhe M. L., përfaqësues të kishës françeskane, të cilët po bënin rrethimin e një sipërfaqeje toke në zonë, për të cilën kanë certifikatë pronësie. Si pasojë e konfliktit, shtetasit e përfshirë në konflikt kanë pësuar dëmtime fizike.
Policia gjeti në vendin e ngjarjes një gëzhojë arme zjarri. Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi që ka qëlluar me armë zjarri, gjatë konfliktit, është shtetasi B. T“, njofton policia.
Policia ka arrrestuar 8 vetë gjithsej, katër nga secila palë që u përfshinë në konflikt, ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet për këtë konflikt pasi dyshohet se ka mbivendosje pronash.
Të arrestuar janë Bajram Kaçuli, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.





