Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u ka shkuar në zyrë këtë të mërkurë presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha. Takimi u njoftua nga vetë ambasadorja në “Twitter”. Kim u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që të tregojnë pjekuri dhe përgjegjshmëri në hapat që do të ndërmarrin.

 

“Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar.”

 

Gjatë takimeve kryediplomatja amerikane ka cekur si temë edhe atë të donacioneve për rindërtimin pas tërmetit. Sipas saj, çdo e ardhur duhet të administrohet me kujdes dhe transparencë.

 

“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.”

 

Thirrja e Kim për pjekuri dhe përgjegjshmëri ndaj aktorëve politikë vjen vetëm pak pas paralajmërimit të Ilir Metës se në datën 2 mars do të zbresë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bashkë me popullin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *