Viti 2021 ka shënuar një kthesë të fortë sa i takon drejtësisë në Shqipëri, ku Prokuroria e Posaçme tashmë është kthyer në tmerrin e kriminelëve. Deklarata është bërë nga ambasadorja amerikane Yuri Kim gjatë aktivitetit për certifikimin e 28 agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

 

Në fjalën e saj Kim shtoi se SPAK ka kthyer shpresën e shqiptarëve duke hetuar dhe dënuar ata që konsideroheshin si të paprekshëm.

 

YURI KIM

AMBASADORE E SHBA-ve

 

Viti 2021 ka qenë me të vërtetë pika e kthesës për luftën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.  Edhe më shumë ndihmë është rrugës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë 2 përvjetor të SPAK duhet të jeni krenar që tashmë jeni bërë heronjtë e të rinjve dhe tmerri i kriminelëve dhe shpresa e vendit. Atyre që kurrë nuk do të mbaheshin përgjegjës, ditët u kanë mbaruar.

 

Ndërsa kreu i SPAK Arben Kraja theksoi se në 2022 do të plotësohet struktura e Byrosë Kombëtare të Hetimit me 32 anëtarë. Kraja u shpreh edhe për skeptikët, duke nënkuptuar opozitën e cila u ka shtuar punën prokurorëve.

 

ARBEN KRAJA

DREJTUES SPAK

 

Në dy vite 891 procedime penale, mbi 400 të pandehur në gjykim, 62 vendime konfiskimi me vlerë 75 milion euro. 143 letërporosi me autoritetet e huaja. 17 kërkesë për ekstradim nga SPAK. Edhe ata qe na kritikonin tani duan të na ngarkojnë detyra shtesë. Kjo është shenjë e rritjes së besimit.

 

Ndërsa ambasadori i BE-së, Luigi Soreca tha se SPAK tashmë ka bërë hapa inkurajuese edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë.

Sipas tij, më parë prokurorë dhe gjyqtarë kanë qenë të presionuar nga politika dhe krimi por tashmë janë këta të fundit që po tremben.

 

LUIGI SORECA

AMBASADOR I BE

 

Një bilanc i fortë po ndërtohet sa i përket ndjekjeve penale dhe dënimeve në çështjet penale të nivelit të lartë. SPAK po rrit bashkëpunimin. Frika ka kaluar nga an tjetër, ishte në anën e prokurorëve edhe të gjyqtarëve, por tashmë po kalon në anën tjetër. SPAK e ka ndryshuar tërësisht lojën. Kemi parë hapa inkurajuese në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë. Është thelbësore të vijojnë bashkëpunimin me agjenci të tjera ligjzbatuese në Shqipëri.

 

Drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj tha se prioritet i punës së tyre do të jetë kualifikimi i agjentëve të BKH-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *