Aktivisti i “Qëndresë Qytetare”, Rigels Xhemollari, i ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, ka dalë kundër projektit të kamerave inteligjente nëpër shkolla.
Xhemollari tha se Shqipëria nuk ka nevojë për kontroll, por për arsimim cilësor.
Pjesë nga biseda:
Xhemollari: Jam i sigurt se prindi thotë të vihen kamera që të mos ketë konflikte në shkolla. Nëse prindit nuk i shërben kjo kamerë, pse duhet të jetë dakord për këtë? Në shkollat private nuk ka kamera, por nuk ka incidente. Gjëja tjetër që na bëri të reagojmë mbi këtë projekt është fakti se shkollat tona sot nuk kanë tualete me kushte normale, nuk kanë laboratorë digjitalë. Ne në vitin 2014 monitoruam “Smart School”. Ra pandemia dhe shkuam për të parë se çfarë ndodhi me tabletat; ishin kalbur, sepse nuk kishte prizë. Edhe me laboratorët e njëjta gjë. A mos duhet të ishin pyetur prindërit së pari se çfarë u duhet më shumë? Ky është një projekt avangardë.
Borakaj: Ka një pjesë të shkollave që kanë kamera.
Xhemollari: Po, shumica e tyre kanë kamera. Pa hyrë te çështja e sigurisë, ne themi që kjo është aferë korruptive. Ti jep 140 milionë euro për të vendosur kamera aty ku tashmë ka kamera. E treta janë konfliktet. Këta kanë ardhur me teorinë që me kamera eliminohen konfliktet. E vetmja gjë që bën kamera është se e monitoron situatën “live”. Por nuk ndikon as në shëndetin mendor, as në marrëdhëniet sociale, as në numrin e oficerëve të policisë. Pra, nuk ka nevojë për kamera, por për gjëra të tjera.





