Ankth, dhimbje dhe të pafuqishëm: këto janë ndjenjat e atyre që jetojnë në jug të Italisë dhe kanë një të afërm në Bergamo, qytet i cili është marrë “peng” nga koronavirusi. Carmen Posillipo, një qytetar i Italisë, ka rrëfyer për mediat italiane ngjarjen e trishtë të familjes së tij.

 

 “Xhaxhai im, 72 vjeç, vdiq dhe u varros pa marrë as lamtumirën e fund të familjes së tij, të gruas së tij dhe të dy fëmijëve të tij. Gruaja e tij, Lina ndodhet e shtruar në spital me pneumoni, ndërsa fëmijët Ëalter dhe Roberto janë të mbyllur në shtëpi me ethe.”

 

Ai tregoi sesi ndarja nga jeta e xhaxhait të tij i ishte mbajtur e fshehur bashkëshortes së tij të shtruar në spital.

 

“Xhaxhai Gianfranco u mor në spital disa ditë më parë. Ai kishte të gjitha simptomat e Covid-19. Neve na u tha nga spitali se ai kishte pneumoni. Situata e tij gradualisht u përkeqësua derisa disa ditë më parë na u tha se ai kishte vdekur. As lamtumira e fundit nuk u dha për Gianfrancon. As një bekim i fundit. Tani jemi të shqetësuar për bashkëshorten e tij, Lina, e cila ishte e vetmja që nuk kishte simptoma të koronavirusit. Ajo po gatuante për dy fëmijët, të dy me ethe. Pastaj ajo u rrëzua. Ajo u shemb. Ambulanca erdhi dhe e mori. Në fillim asaj nuk ju tregua asgjë për xhaxhain tim. Por më pas një prej kushërinjve të mi i tha. Në atë moment ajo hapi sytë dhe pastaj i mbylli sërish. Për 30 orë nuk patëm asnjë lajm prej saj. Më pas spitali telefonoi dhe na tha se ka pneumoni.”

 

Carmen Posillipo u shpreh se gjithë kjo situatë e ka lodhur.

 

“Unë jam i rraskapitur, nëna ime dhe unë jemi të shkatërruar dhe jemi të pafuqishëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *