E enjte, 12 Nëntor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/2 përditësuar 5 minuta më parë
Bota

Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë për bisedime me Putinin

Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, pas dy ditësh bisedime në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës diskutuan mundësitë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kjo është vizita e dhjetë e Witkoffit në Rusi për bisedime me Putinin, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Witkoff dhe Kushner janë ndër negociatorët kryesorë amerikanë për përfundimin e luftës, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vendosur ndër prioritetet e politikës së tij të jashtme që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025.

Në aeroportin Vnukovo të Moskës, më 12 nëntor, ata u pritën nga Kirill Dmitriev, zyrtar i lartë rus i përfshirë në bisedimet me Uashingtonin.

Reklamë

Pas takimit me Putinin, dy të dërguarit pritet të udhëtojnë për në Dublin, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Zelensky ka mbërritur më herët në Irlandë për një takim me udhëheqësit evropianë.

Bisedimet e zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi duket se kanë sjellë pak rezultate. Palët po përgatiten për një shkëmbim të madh të të burgosurve, por nuk ka pasur ndonjë përparim të dukshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.

Zyrtarët amerikanë i përshkruan negociatat si të vështira, por produktive. Megjithatë, dallimet mes Moskës dhe Kievit mbeten të mëdha, ndërsa Kremlini nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të heqë dorë nga kërkesat e tij.

Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, i cili ka udhëhequr edhe bisedimet me Ukrainën në vitet 2022 dhe 2025, tha se shkëmbimi i territoreve si pjesë e një marrëveshjeje paqeje nuk është i pranueshëm.

Rusia ka kërkuar prej vitesh që çdo marrëveshje paqeje t’i japë asaj kontroll të plotë mbi rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës, të cilin forcat ruse nuk kanë arritur ta pushtojnë tërësisht.

Çështja e territoreve mbetet një nga pengesat kryesore për arritjen e paqes.

Bisedimet kanë përfshirë edhe çështje më të gjera të sigurisë në Evropë, pasi Uashingtoni po synon t’i zgjerojë negociatat përtej luftës në Ukrainë.

Diskutime të tilla mund të krijojnë mundësi që në procesin e paqes të përfshihen edhe vendet evropiane, të cilat deri më tani kanë mbetur kryesisht jashtë tij. Megjithatë, Rusia e ka përdorur edhe më parë këtë çështje si një pengesë tjetër të madhe për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike të luftës.

Para se të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Moska fajësonte NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për krizën, duke i akuzuar për “përshkallëzim të tensioneve” dhe duke kërkuar ato që i quante garanci të sigurisë.

Kërkesat e Rusisë përfshinin ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe kufizimin e vendosjes së trupave dhe armatimit në vendet anëtare të aleancës në Evropën Lindore. Në praktikë, kjo do të nënkuptonte kthimin e forcave të NATO-s në pozicionet që kishin në vitin 1997.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që bisedimet të sjellin rezultate konkrete deri në fund të këtij viti.

Sipas Zelenskyt, përparimi në negociata do të varet në masë të madhe nga qëndrimi që Shtetet e Bashkuara mbajnë ndaj Rusisë.

“Po përballemi me këto sulme masive. Natyrisht, duam të arrijmë rezultate deri në fund të këtij viti dhe do të bëjmë gjithçka që kjo të ndodhë”, tha ai.

Kievi ka kërkuar vazhdimisht shtimin e presionit ndaj Moskës, duke argumentuar se vetëm kështu Rusia mund të detyrohet të hyjë në negociata serioze për përfundimin e luftës.

Administrata Trump, megjithatë, ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj Moskës. Së fundmi, ajo ka lehtësuar disa sanksione ndaj Rusisë dhe ka arritur një marrëveshje për naftën dizel, ndërsa njëkohësisht i ka kërkuar Ukrainës të mos sulmojë rafineritë ruse të naftës.

Gjatë takimit të fundit me Putinin, në tetor, Witkoff e quajti presidentin rus “humanitar”, pasi Rusia liroi nga burgu shtetasin amerikan Stephen Hubbard. Ai e cilësoi lirimin e tij si një gjest të vullnetit të mirë.

Analisti politik Aleksandr Morozov tha për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë se “diskutimet për rikthimin e një lloj sigurie evropiane tingëllojnë pothuajse absurde”, në një kohë kur Ukraina po përballet me “kulmin e agresionit rus”.

“Gjatë gjithë nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për paqe, Moska e ka falënderuar atë për përpjekjet e tij, ndërkohë që ka manipuluar me synimin e Uashingtonit për të arritur një armëpushim”, shtoi Morozov.

Ukraina po hyn në dimrin e pestë të luftës, ndërsa sulmet e vazhdueshme ruse po lënë mijëra njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje.

Ndërkohë, sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës vazhduan edhe më 12 nëntor, ditën kur të dërguarit amerikanë mbërritën në Moskë.

Në Kiev u dëgjuan shpërthime dhe të paktën një person u vra, sipas autoriteteve ukrainase. Një tjetër person u vra në rajonin jugor të Hersonit, ndërsa sulmet në rajonin perëndimor të Rivnes dëmtuan infrastrukturën civile dhe energjetike.

Autoritetet ruse, në anën tjetër, thanë se kishin rrëzuar dronë që po fluturonin drejt Moskës, si dhe mbi disa rajone të tjera, përfshirë Rostovin dhe Tulën.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.