Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

Në një fjalim drejtuar kombit të enjten pasdite, Vuçiç tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

 

“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiç.

 

Kurti dhe Vuçiç, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

 

Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.

 

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësojnë dialogun, paralajmëruan se tash pasojnë diskutimet për aneksin e zbatimit.

 

Vuçiç tha se takimi me Kurtin “nuk do të jetë asnjë lloj dite gjykimi”, por se do të përpiqet të bëjë “atë që është më e mira për Serbinë”.

 

“Të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, t’i ndërtojmë marrëdhëniet më të mira me Bashkimin Evropian dhe t’u përmbahemi fuqishëm vijave tona të kuqe. Nga kjo nuk heq dorë”, tha Vuçiç.

 

Ai shtoi se këtë e ka thënë edhe në takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

 

”Ditëve të fundit, kemi diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin [e marrëdhënieve], që për mua nuk do të thotë eufemizëm për njohjen e Kosovës, as de facto, as de jure”, tha Vuçiç.

 

“Si president, u bëj thirrje qytetarëve që t’i besojnë udhëheqjes së tyre shtetërore”, u shpreh ai./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *