157 vite burg kërkoi SPAK për klanin “Duka” dhe anëtarët e tij që akuzohen për ekzekutimin e ish-policit, Santiago Malko. Ndaj Leonard Dukës, prokurori kërkoi dënimin me 32 vjet burg, si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe porositës i vrasjes.
E njëjta masë dënimi u kërkua edhe për Fatmir Hysenin që SPAK e akuzon si ekzekutorin e Santiago Malkos, mbrëmjen e 27 gushtit të 2019.
Ndërkaq, për vëllain e Leonardit, Erlis Dukën, prokurori Behar Dibra, kërkoi që të shpallet fajtor dhe të dënohet me 25 vjet heqje lirie. Për tre të pandehurit e tjerë, Aleksandër Manxhaku, Oltjon Loga, Dritan Agai, sipas SPAK, anëtarë të grupit kriminal u kërkua 23 vjet për të parin e nga 22 vite për të tjerët.
Sipas dosjes hetimore, vrasja e Santiago Malkos, ndodhi për shkak të prishjes së pazareve të lojërave të fatit, një konflikt që kishte nisur që më herët mes dy miqve të dikurshëm Leonard Duka e Ervis Martinaj.
Në dosje thuhet që Malko dhunoi të atin e Leonard Dukës, ndaj vëllezërit morën hak duke e ekzekutuar me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet./vizionplus.tv





