Edmond Haxhia, financuesi dhe porositësi i atentatit të biznesmenit Ardian Nikulaj është arrestuar nga autoritetet britanike.
Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se në pranga kanë rënë edhe dy shtetasit britanik, Thomas Mithan dhe Stephten Hunt.
Arrestimi i tyre u bë pasi u shpallën në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Ndërkohë vijon puna për kapjen edhe të dy shtetasve të tjerë britanik, që ishin bashkëpunëtor në krimin e rëndë.
Kërkimet vijojnë edhe për arrestimin e portugezit Ruben Saraiva i cili kreu krimin.
Policia e Shtetit
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.





