Subscribe

Një ditë pas atentatit tragjik me shpërthim të telekomanduar, kanë dalë në dritë detaje të reja.

 

150 gramë tritol iu vendos 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, mesditën e së shtunës në aksin Tiranë-Elbasan. Brenda automjetit të shpërthyer me tritol të telekomanduar u gjet edhe një armë zjarri.

 

Sipas burimeve nga policia, dyshohet se i riu e mbante armën në makinë për vetëmbrojtje, për shkak të problemeve qe kishte patur në të shkuarën. Pistoleta ka qenë në tokë jashtë makinës me krehër të dëmtuar dhe i ka rënë Sadikajt kur ka dalë nga makina, pasi e ka pasur në brez. Tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës, në anën e shoferit, arsye pse atentati ka rezultuar fatal për 27-vjeçarin.

 

Dyshimet e para janë për vrasës me pagesë, por gjithçka është në fazën fillestare të hetimit. Autorët janë kujdesur të mos lënë gjurmë. Familjarët, miq dhe të afërm të Sadikajt janë marrë në pyetje për të zbuluar lëvizjet e tij të fundit. Ata kanë deklaruar se nuk kanë asnjë dyshim se kush mund të jenë autorët dhe se sipas tyre nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që i riu mund të ketë pasur persona të tjerë.

 

27-vjeçari me origjinë nga Berati, rezulton të jetë i proceduar nga policia për vrasje të mbetur në tentative në vitin 2019, pasi plagosi me thikë një person në Sarandë. Po ashtu në 2011 ka tentuar të vjedhë një person në Berat, ndërsa gjatë këtij viti u shpall në kërkim nga policia e Vlorës po për vjedhje.

 

Ndërkaq, në 2017 Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për kundërshtim të forcave të policisë. Sadikaj ishte pronar i një ferme në Memaliaj të Tepelenës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *