Prej datës 11 janar e deri më sot, rreth 12 mijë emigrantë nga diaspora janë regjistruar në platformën elektronike të vënë në dispozicion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për votimet e 11 majit.
Statistika e pasqyruar në faqen zyrtare të KQZ-së shihet me optimizëm nga Këshilli Koordinues i Diasporës.
Por, për të diskutuar më shumë për regjistrimin e emigrantëve në platformën elektronike, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhin ishte anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës, Anila Hyka.
Znj.Hyka tha se në Francë rezultojnë të jenë regjistruar në platformë 400-500 emigrantë, teksa shtoi se më të interesuar janë të rinjtë.
Anëtarja e Këshillit Koordinues të Diasporës u shpreh se procesi i regjistrimit zgjat 5-10 minuta.
Intervista e plotë:
Cila është atmosfera në Francë në radhët e emigrantëve?
Hyka: Është në fakt një miks. Të rinjtë janë më të interesuar të marrin pjesë, ndërsa ata që janë pak më të vështirë për t’u angazhuar janë ata të brezit që kanë emigruar shumë më herët, rreth 20-25 vite më parë, sepse akoma nuk kanë besim dhe e dinë arsyen pse janë larguar. Franca renditet me rreth 400-500 të regjistruar. Shpresojmë t’i bindim që është e nevojshme, është një mision, një akt i rëndësishëm për vendin që edhe ne, ashtu si vendet e tjera, të japim kontributin tonë në këtë aspekt.
Ju vetë e keni bërë regjistrimin në platformë? Sa minuta ju mori? Si ishte algoritmi apo e gjithë mënyra për të hyrë në faqen e Komisionit?
Hyka: Unë kam qenë një nga personat e grupit të diasporës që e kemi ndjekur hap pas hapi KQZ-në, që nga fillimet e para, që në shtator të 2020, dhe nuk i kemi ndërprerë takimet dhe bashkëbisedimet. Për mua, procesi zgjati 5 minuta, maksimumi 10 minuta. Isha e përgatitur, kisha bërë paraprakisht foto të kartës së identitetit. Ndonjëherë njerëzit zgjedhin disa opsione dhe, nëse faqja mbetet e hapur, ju duket sikur janë në një cikël regjistrimi gjatë gjithë kohës. Sistemi është krijuar qëllimisht që të mos ruajë të dhënat nëse procesi nuk është përfunduar deri në fund. Ne nuk kemi dashur që të dhënat të mbeten në kompjuterë të huaj për arsye sigurie.
Për këtë arsye keni kërkuar që të shtyhet afati i regjistrimit?
Hyka: Afati është i caktuar në Kodin Zgjedhor, pra nuk është kërkuar nga ne. Ajo që diskutohet për t’u kërkuar është që Kodi Zgjedhor të ndryshojë dhe që lista e kandidatëve të publikohet më herët. Kjo është e rëndësishme, që emigrantët të njihen me kandidaturat dhe të kenë hapësirën e nevojshme për të dërguar votën e diasporës në kohë në Shqipëri. /vizionplus.tv





