Shqipëria feston sot 112-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa festa siç është kthyer tashmë në traditë, nisi nga sheshi i Flamurit në Vlorë.
Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë bëri bashkë krerët më të lartë të kombit: Presidenti Bajram Begaj, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, kryeministri Edi Rama dhe kreu i qeverisë së Kosovës Albin Kurti.
Veç Vlorës, edhe kryeqyteti “u vesh” kuqezi. Tirana, për të dytin vit radhazi mirëpriti “Paradën e Shqiptarëve”, duke vënë në pah pasurinë e kulturës dhe traditave shqiptare nga të gjitha trojet. Marshimi nisi nga sheshi Italia drejt sheshit Skënderbej.
Nuk mund të mungonin as festimet në Kosovë. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë zhvilluan homazhe në memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz. 28 nëntorit përkon me ditën e lindjes së komandantit Jashari dhe gjithashtu me daljen për herë të parë në publik të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës uruan Shqipërinë duke theksuar marrëdhënien e ngushtë mes dy vendeve dhe nevojën për paqe dhe siguri.
Por, për të zbuluar më shumë detaje nga aktivitetet në Vlorë mbi ditën e Pavarësisë, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Roland Zilin ishte kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha.
Z.Dredha tha se këtë vit festa në Vlorë ka qenë me shumë ngjyra, kjo pasi edhe koha ka qenë shumë e mirë. Kryebashkiaku shprehet se qyteti është “pushtuar” nga një koncert me shumë artista të vendit tonë, ku një prej tyre është edhe këngëtarja Aurela Gace.
Sa i përket ofertave të veçanta nga bizneset, Z.Dredha tha se do të vazhdojnë për gjithë vitin.
Intervista e plotë:
Si e priti sot Vlora festën e madhe të Pavarësisë?
Dredha: Vlora e priti këtë festë si çdo vit, por këtë vit kishte shumë ngjyra. Na nderoi dhe koha. Koha ka qenë si asnjëherë tjetër. Ishte perfekt, ashtu siç duhet të jetë gjithmonë. Ishte një ditë shumë e bukur.
Si pritet të vijojë festa në këto orë të mbrëmjes?
Dredha: Kemi dy aktivitete që kanë filluar, njëri në fakt është drejt fundit. Është diçka e mrekullueshme që po ndodh këtu. Ndërkohë në orën 19:00 ka filluar një koncert shumë i madh me këngëtaren Aurela Gacen dhe disa artistë të tjerë nga trevat tona. Ndihet aroma dhe fryma festive në qytet.
Sheshi i Flamurit është ndyshuar plotësisht këto vite, a mund t’i quajmë të mbyllura investimet në këtë zonë historike të qytetit?
Dredha: Në fakt në zonën historike të qytetit është duke u investuar. Shpresoj shumë që të mbarojnë dhe zona historike e qytetit të jetë e përfunduar. Ndërkohë Vlora vazhdon shumë të investohet edhe tek pjesa e Ujsjellësit. Shpresojmë që ky projekt që ka filluar para 2 muajsh të mbarojë në fillim të vitit 2026.
Bizneset ishin angazhuar për të mikpritur vizitorët me oferta te veçanta apo jo?
Dredha: Vlora ka një diferencë nga qytetet e tjera, me shumë respekt për qytetet e tjera, atë që ne e bëjmë njëherë e mbajmë deri në fund. Pra, kjo paketë që ofrojnë bizneset nuk është vetëm për një ditë, ajo ofertë vazhdon gjithë kohës, pse? Sepse nuk bëhet vetëm për biznes, por që të ketë gjallërinë e duhur qyteti, në këto ditë që të gjithë e kanë vëmendjen drejt Vlorës. Zanafilla e një shteti të pavarur është këtu në këtë qytet. Ky është fokusi jonë. Ne duam t’i shohim të gjithë në sheshet e Vlorës në datë 28 sepse ne e meritojmë të jemi qendra e festimeve të Pavarësisë. /vizionplus.tv





